Secondary Adv

Pas FMN, edhe Instituti i Vjenës ul parashikimin e rritjes ekonomike për Shqipërinë

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe Instituti i Vjenës uli pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2025, nga 3.7% në 3.5%.

Rritje më e ngadaltë, por ekonomi e qëndrueshme

Në raportin më të fundit, Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare vlerëson se presionet inflacioniste në Shqipëri kanë mbetur të moderuara dhe nën nivelin e synuar të Bankës së Shqipërisë. Politika monetare konsiderohet ende mbështetëse për rritjen ekonomike, ndërsa hyrja në funksion e sistemit SEPA pritet të nxisë formalizimin e pagesave dhe integrimin financiar me Bashkimin Europian.

 

Raporti thekson gjithashtu se bilanci i llogarisë korrente po përfiton nga rritja e turizmit dhe dërgesat e emigrantëve, ndërsa investimet e huaja mbeten të forta. Megjithatë, mbiçmimi i monedhës vendase po krijon vështirësi për kompanitë eksportuese.

 

Ballkani Perëndimor, rritje e moderuar

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të ruajnë një ritëm pozitiv zhvillimi, me rritje mesatare prej 2.5% në vitin 2025 dhe 3.4% në 2026. Serbia parashikohet të ketë një ngadalësim të ndjeshëm, ndërsa Turqia pritet të vijojë me rritje të fortë ekonomike.

 

Më herët, edhe FMN uli parashikimin për Shqipërinë në 3.4%, nga 3.8% që parashikohej në pranverë, duke reflektuar një pritshmëri më të kujdesshme për ekonominë shqiptare.

 

Europa Lindore, në fazë ndryshimi strukturor

Sipas Institutit të Vjenës, ekonomitë e Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore po përballen me rritje të qëndrueshme, por më të ngadaltë, për shkak të ngadalësimit të konsumit dhe sfidave industriale. Investimet publike dhe private po marrin një rol më të madh, ndërsa shpenzimet për mbrojtjen po mbështesin rritjen në vendet e NATO-s.

 

Për vitin 2025, parashikohet një rritje mesatare prej 2.2% për vendet lindore të BE-së, e cila do të arrijë 2.6% në 2026, duke tejkaluar ritmin e zonës euro. Polonia dhe Kroacia pritet të kenë performancën më të mirë në rajon, ndërsa Rumania dhe Ukraina përballen me sfida të dukshme ekonomike.

 

Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat